Afan Elezi nga VLEN, gjatë një konferencë për media, njoftoi se pas 35 vitesh pritje nga shpallja e pavarësisë dhe 58 viteve nga miratimi i Ligjit të parë për provimin e jurisprudencës, studentët shqiptarë do të kenë mundësinë për herë të parë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ky vendim ka rëndësi të veçantë për gjeneratat e juristëve shqiptarë dhe është një dëshmi se problemet që janë trashëguar për dekada mund të zgjidhen kur ka vullnet dhe përgjegjësi politike. “Për vite me radhë, studentët shqiptarë i kanë kryer studimet në gjuhën shqipe, por kur ka ardhur momenti i provimit të jurisprudencës, ata janë detyruar ta japin atë në maqedonisht.
Kjo ka qenë një pengesë për breza të tërë, ndërsa pushtetet e kaluara nuk arritën ta zgjidhnin këtë problem,” theksoi ai.
Elezi gjithashtu e sfidoi protagonistin kryesor të opozitës, Arbër Ademi, duke e pyetur: “Para se të flisni për të drejtat e studentëve, a mund të na tregoni në çfarë gjuhe e keni dhënë ju provimin e jurisprudencës në vitin 2016?
Nëse edhe ju, si jurist shqiptar, keni qenë të detyruar ta jepni provimin në maqedonisht, atëherë me çfarë të drejte flisni për patriotizëm dhe mbani leksione për gjuhën shqipe, kur gjatë pushtetit tuaj 8 herë keni udhëhequr me ministrinë e drejtësisë?” “Nuk mund të kërkosh besimin e shqiptarëve duke u paraqitur si mbrojtës i të drejtave të tyre, ndërkohë që ke pasur mundësi institucionale për t’i avancuar dhe nuk e ke bërë.
Për shqiptarët nuk mjaftojnë deklaratat dhe fjalimet.
Ata presin që të drejtat e tyre të zbatohen në vendime konkrete,” përfundoi Elezi.
Ai theksoi se ata nuk kanë ardhur në pushtet për të trashëguar arsyetimet e pushteteve të kaluara, por për të zgjidhur problemet që ato i lanë pas.