Studentja Hana Spahiu u shpreh këtë të mërkurë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, lidhur me protestën studentore dhe thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog.
Ajo e konsideroi ftesën e kreut të qeverisë si një kurth, duke theksuar se për 135 ditë protestash paqësore, qeveria ka reaguar me përbuzje dhe arrogancë.
Spahiu e përshkroi Shqipërinë si një shoqëri jo demokratike, duke e quajtur një “autokraci elektorale”, dhe e mbështeti këtë vlerësim në analizat e instituteve ndërkombëtare. “135 ditë që protestat ishin 100% paqësore, kryeministri e ka trajtuar vetëm me përbuzje, me tallje dhe me arrogancë.
Fatkeqësisht, është nevojitur eskalimi i protestës dhe dhuna që përmendi zoti Bido për t’i bërë kryeministrit të kuptojë se shqiptarët nuk janë dele që do t’i binden përjetësisht.
Tani ai kërkon dialog.
Ky është thjesht një kurth.
Ai ka pasur 13 vite në pushtet për të bërë dialog me publikun, për të rregulluar kushtet në spitale dhe shkolla, si dhe për të rritur pensionet që vazhdojnë të jenë 100€, të pamjaftueshme për ilaçet më elementare.
Kryeministri nuk është zgjedhur në mënyrë demokratike.
Shqipëria nuk është një shoqëri demokratike; është një autokraci elektorale.
Këtë cilësim nuk e bëj unë, por e bëjnë institutet ndërkombëtare të vlerësimit të demokracisë.
Ne e dimë shumë mirë për sistemin e patronazhit dhe fryrjen e administratës publike.
Dimë gjithashtu për blerjen e votave,” tha ajo.