Një grup studentësh, rinj atdhetarë, profesionistë dhe përfaqësues të diasporës kanë njoftuar themelimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Kjo nismë synon të mbështetet në parimet e drejtësisë, meritokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë, dhe ka filluar mbledhjen e firmave për krijimin e subjektit politik.
Partia e re “Të Bashkuar për Shqipërinë” pritet të nisë takimet me qytetarët në qytete dhe fshatra, me qëllimin për të prezantuar nismën dhe për të mbledhur firmat e nevojshme për krijimin e saj.
Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësues të grupit nismëtar, të cilët kanë theksuar se iniciativa ka lindur nga një grup studentësh dhe është mbështetur nga të rinj, pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës.
Në një deklaratë për mediat, një prej studenteve që përfaqëson grupin tha se nisma është e hapur për të gjithë qytetarët që besojnë në një Shqipëri të qeverisur mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës. “Për 180 ditë, mijëra të rinj dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria është e bashkuar.
Kjo parti do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Ne nuk bëjmë premtime, vendosim standarde. Çdo angazhim i yni do të ketë një objektiv të matshëm, përgjegjësi me emër, kosto dhe afat.
Do ta masim publikisht dhe do ta kontrollojmë.
Kur nuk e arrijmë, do ta shpjegojmë dhe do të tregojmë si do ta korrigjojmë”, tha studentja.
Në vijim, përfaqësuesit e partisë së re i kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës, duke theksuar se besimi politik duhet të fitohet përmes rezultateve konkrete dhe përgjegjësisë publike.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen takime në qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit, ndërsa ata kanë paralajmëruar edhe dalje të tjera publike dhe mediatike për të prezantuar më shumë detaje mbi organizimin dhe hapat e mëtejshëm të kësaj nisme.
Deklarata përfundoi me një apel për bashkim dhe përfshirje qytetare: “Ftojmë çdo shqiptar të bashkohet.
Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”, u shpreh ajo.