Tensionet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”: Protestuesit dhe Policia në Përplasje

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me forca të Policisë së Shtetit, kryesisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ndërsa situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Një autobot ujëhedhës po përparon në drejtim të turmës së protestuesve të mbledhur pranë lulishtes në sheshin “Skënderbej”.

Policia po përdor ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa në bulevard shihen gurët e hedhur gjatë përplasjeve dhe bombolat e gazit lotsjellës të përdorura nga efektivët.

Përballë forcave të FNSH-së janë pozicionuar disa protestues të maskuar, të cilët kanë filluar të hedhin gurë në drejtim të policisë.

Ndërkohë, kazanët e mbeturinave vazhdojnë të digjen në disa zona.

Pjesa më e madhe e protestuesve është zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, ku po qëndrojnë në distancë nga retë e tymit dhe forcat e policisë të vendosura përgjatë bulevardit.

Efektivët kanë krijuar kordonë përpara ministrive, ndërsa një pjesë e forcave është pozicionuar pranë Ministrisë së Brendshme, duke pritur zhvillime të tjera.

Disa të rinj në sheshin “Skënderbej” po thyejnë stolat e vendosur si instalacion në shesh, për të siguruar gurë dhe sende të forta, të cilat po i përdorin për të qëlluar në drejtim të forcave të policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *