Thatësira po shkakton vonesa në mbjelljen e kulturave bujqësore në rajonin e Shtipit.
Bujqit thonë se ndryshimet klimatike po u krijojnë probleme të mëdha para fillimit të mbjelljes së elbit dhe grurit.
Për shkak të mungesës së reshjeve, ata nuk arrijnë të hyjnë në arat e tyre për t’i lëruar.
Shpresat e tyre janë te reshjet e mundshme të shiut gjatë fundjavës së ardhshme. „Një vit të tillë nuk e mbajmë mend.
Nuk ka reshje dhe pothuajse 80 deri në 90 për qind e sipërfaqeve nuk janë lëruar.
Edhe pas korrjes nuk arritëm t’i lëronim, sepse edhe vera ishte e thatë“, deklaroi Goce Serafimovski, nënkryetar i Asociacionit të Bujqve.
Përveç thatësirës, rritja e shpenzimeve për mbjellje, veçanërisht e çmimit të naftës dhe plehrave artificiale, ka rritur edhe kostot e prodhimit.
Përgatitjet për mbjellje do t’u kushtojnë bujqve rreth 1.500 denarë për dynym, një shpenzim që, sipas tyre, nuk është ekonomikisht i leverdishëm.
Serafimovski thotë se kanë kontakte me ministrinë përkatëse dhe do të kërkojnë ndihmë përmes Fondit Intervenues për t’u përballur me vështirësitë e krijuara.
Ndërkohë, bujqit në Maqedoninë e Veriut mbjellin rreth 85 për qind të sipërfaqeve me kultura drithërore gjatë vjeshtës, me qëllim që të sigurojnë rendimente më të larta.