Lirim Begzati, me dy dekada përvojë në administratën zvicerane, ka publikuar një libër me 336 faqe dhe 1.000 pyetje-përgjigje, përmes të cilit synon t’ua lehtësojë shqiptarëve njohjen me sistemin juridik dhe administrativ të Zvicrës.
Njohja me ligjet dhe procedurat administrative të Zvicrës shpeshherë paraqet sfidë për komunitetin shqiptar që jeton në këtë shtet.
Përballja me një sistem juridik kompleks, dokumentacionin zyrtar në gjuhë të huaj dhe afatet që duhet respektuar mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, veçanërisht kur mungon informacioni i nevojshëm.
Pikërisht për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, avokati dhe përkthyesi gjyqësor, Lirim Begzati, me prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe i vendosur në rajonin e Neuchâtel-it, ka botuar një udhëzues praktik për të drejtën zvicerane, të shkruar tërësisht në gjuhën shqipe.
Libri mban titullin “E drejta zvicerane në 1.000 pyetje dhe përgjigje” dhe përbëhet nga 336 faqe.
Ai u dedikohet më shumë se 200 mijë shqipfolësve që jetojnë në Zvicër, të cilët përmes këtij botimi do të kenë mundësi të njihen më lehtë me ligjet, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni zviceran.
Ideja e këtij botimi lidhet me vështirësitë konkrete me të cilat përballen shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në jetën e përditshme.
Një afat i humbur për paraqitjen e një ankese, një formular i plotësuar gabimisht apo një procedurë e keqkuptuar administrative mund të ndikojë drejtpërdrejt në ushtrimin e të drejtave të qytetarëve.
Përmes një formati me pyetje dhe përgjigje, Begzati synon që çështjet juridike, të cilat shpesh duken të ndërlikuara për personat që nuk e njohin mirë sistemin zviceran, t’i bëjë më të kuptueshme dhe më të qasshme për lexuesit shqiptarë.
Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë më të informuar dhe të sigurt në përballjen me sistemin juridik në Zvicër.