Urimi i Presidentes për Ditën e Alfabetit Shqip: Rëndësia e Gjuhës në Identitetin Kombëtar

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka përcjellë urime për të gjithë pjesëtarët e komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip.

Ajo theksoi se gjuha është themeli i identitetit kombëtar dhe kujtesës kolektive të një populli. “Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik.

Ai është dëshmi e një vizioni kombëtar dhe e vetëdijes për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip,” theksoi presidentja.

Në urimin e saj, ajo theksoi se gjuha është tipari themelor i veçantisë kombëtare dhe instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive, trashëgimisë shpirtërore dhe përvojës së një populli. “Gjuha shqipe ju ka mundësuar juve, shqiptarëve, të shprehni respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve.

Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe sistemin demokratik politik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike, argëtuese dhe të përditshme,” theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo theksoi se detyrë e përbashkët është ndërtimi i një shoqërie në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë dallimet, por do t’i respektojë dhe do t’i trajtojë ato si vlera të përhershme shoqërore.

Presidentja shprehu dëshirën që 22 Nëntori të mos jetë vetëm ditë kujtimi, festimi dhe krenarie, por edhe nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *