Të hënën pritet të fillojë vaksinimi kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut, ndërsa aplikimi për imunizim është tashmë i hapur përmes sistemit elektronik “Termini Im”.
Ka mbërritur deri tani një sasi prej 30 mijë dozash vaksinash kundër gripit, ndërsa deri më 15 nëntor pritet që të sigurohen edhe 26 mijë të tjera.
Autoritetet shëndetësore synojnë që gjatë këtij sezoni të sigurojnë gjithsej 80 mijë doza.
Personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç do të kenë përparësi në vaksinim.
Shpërndarja do të bëhet sipas prioriteteve mjekësore.
Në të njëjtën kohë, autoritetet presin mbërritjen e vaksinave të reja BCG, të cilat janë të destinuara për mbrojtjen e të porsalindurve nga tuberkulozi.
Furnizimi i mëparshëm ishte ndërprerë përkohësisht si masë kujdesi pas raportimit të katër rasteve të osteomielitit te fëmijët në Kroaci.
Sipas njoftimit, përmes UNICEF-it janë siguruar doza të vaksinës BCG nga një prodhues japonez, ndërsa priten që të mbërrijnë brenda pak ditësh.