Vaksinimi Kundër Gripit: Një Masë e Rëndësishme për Shëndetin Publik në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë njoftuar se vaksinat kundër gripit sezonal kanë mbërritur dhe janë shpërndarë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen nga gripi sezonal.

Shani dhe Suzana Muçaj, të cilët vaksinohen rregullisht kundër gripit, vizituan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për t’u vaksinuar për këtë sezon.

Ata theksojnë se vaksinimi ka ndihmuar në përballimin e virozave. “Nuk kam pasur asnjë problem me gripin, dimrin e kam kaluar shumë mirë dhe kam besim të plotë te vaksinimi,” tha Shani Muçaj. “Këto mjaft efektive kanë qenë dhe mjaft të suksesshme përderisa ne i marrim, pasi e kemi edhe sezonin e gripit.

Kemi një lehtësim të madh,” u shpreh Suzana Muçaj.

Të tjerë qytetarë prisnin në radhë për t’u vaksinuar. “Vaksinat kundër gripit i marrim vazhdimisht.

Dikush i nënçmon, por megjithatë janë sigurim i shëndetit dhe varet nga njerëzit se si e çmojnë atë çështje,” tha Nevruz Nushi, një qytetar.

Xhevrije Canolli, shefja e vaksinimit në këtë qendër, bëri me dije se janë planifikuar 12 mijë doza të vaksinës për qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, nga 75 mijë doza të siguruara nga institucionet shëndetësore.

Sipas mjekëve, vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal, sidomos në një periudhë kur rastet e gripit kanë shënuar një rritje të ndjeshme. “Vaksina e gripit përpunohet atë vit dhe merren antigjenet e atij viti, duke e rritur imunitetin e organizmit për t’u mbrojtur nga virusi me të cilin bien në kontakt pacientët.

Zakonisht, këtë vit kemi hasur në një simptomatologji pothuajse të njëjtë te të gjithë pacientët, si kollë, vjellje dhe zënie të hundëve,” tha Nesrije Paqarada, specialiste e mjekësisë familjare.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grupeve të tjera të rrezikuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *