Vendimi i Prokurorit për Muralin e Nënë Terezës në Prishtinë

Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, ka bërë të ditur sot vendimin e Prokurorit të Shtetit për ndalimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë, deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shprehu dëshirën që ta shohë vendimin, ndërsa komandanti i Stacionit Policor Qendra, Fatmir Balaj, theksoi se mund t’ia interpretojë. “Ta shohim këtë vendim me shkrim”, tha Rama. “Mundem me ta interpretu”, u përgjigj Balaj.

Megjithatë, Rama insistoi: “Jo të lutem, na vyn vendimi me shkrim sepse nuk është kjo diktaturë ende, edhe pse po e shohim që po instalohet diktatura, është demokraci”. “Po, me ta tregu mundem”, iu përgjigj Balaj.

Komandanti i Stacionit Policor Qendra vazhdoi duke e sqaruar vendimin e Prokurorit të Shtetit: “E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve…

Prokurori i Shtetit e ka vlerësuar kështu që në këtë rast janë dy palë, komuna e Prishtinës dhe Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike…

Mediat nëse iu intereson kjo pjesë mund t’i drejtohen Zyrës së Mediave, mua nuk më lejohet me qit këtë dokument të Policisë jashtë pa autorizim”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës kundërshtoi arsyetimin, duke theksuar se objekti ku është planifikuar të vendoset murali është pronë publike, e jo pronë e ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *