Vizita katërditore e Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, përfundoi, me deputetë nga të gjitha partitë që shprehën solidaritet me familjen e tij.
Krasniqi, i cili është në paraburgim në Hagë, kishte marrë leje të posaçme për të vizituar familjen për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi.
Largimi i tij nga Prishtina ishte plot emocione, lot dhe përqafime nga të afërmit.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ai u shoqërua me masa të shtuara sigurie nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Vizita e tij nxiti reagime solidarizuese nga deputetë dhe përfaqësues politikë të subjekteve të ndryshme shqiptare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shprehu mbështetje për Krasniqin dhe familjen e tij, duke theksuar angazhimin për drejtësi dhe lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së. “Me shumë dhimbje dhe bashkëndjejë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë…
Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.
Deputetja e LVV-së, Shqipe Selimi, tha: “Sot, më shumë se çdo herë më parë, jemi pranë dhe në mbështetje të zonjës Sevdije dhe bacës Jakup, në këto kohë të vështira për ta dhe për të gjithë familjen Krasniqi”.
Ndërkaq, Ilir Kërçeli, deputet i LVV-së, e krahasoi vizitën me skenat e filmit “Një pallto për babain tim” dhe shprehu indinjatën për atë që e konsideroi si burgosje politike. “Kush do ta kishte menduar se, pas gjithë këtyre dekadave, do të përjetonim sërish burgosje politike për lirinë që gëzojmë sot?!”, ka shkruar Kërçeli.
Deputeti tjetër i LVV-së, Egzon Azemi, kritikoi Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë “Gjykatë të padrejtësisë speciale” dhe i uroi shëndet Krasniqit.
Edhe nga PDK-ja, shumë deputetë shprehën solidaritet me familjen Krasniqi dhe angazhuan për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.
Vlora Çitaku, ushtruesja e detyrës së kryetares, tha se ata nuk do të lihen vetëm dhe do të bëjnë gjithçka që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë, të lirë dhe krenarë. “Baca Jakup, na emocionove shumë kur të pamë sërish në Prishtinë, në përqafimin e familjes.
Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm”, ka shkruar Çitaku.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se pamjet e katër ditëve pranë familjes kanë prekur thellë, duke përmendur përqafimet dhe momentet e ndarjes.
Ai bëri thirrje që shoqëria dhe institucionet të vazhdojnë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
Edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, reagoi me një mesazh të shkurtër për Krasniqin: “Baci Jakup, na fal që nuk po dimë më mirë…Çlirimtarë përjetë”.
Ndërkaq, Arben Gashi nga LDK-ja vuri në pah sakrificën e grave shqiptare që mbajtën familjet gjatë luftës dhe periudhave të burgosjeve. “Zonja Krasniqi sot përfaqëson dhjetëra mijëra gra shqiptare që, në kohët më të vështira, mbajtën familjet, rritën fëmijët dhe përballuan dhimbjen e mungesës”, tha ai.
Zyrtari i saj Daut Haradinaj shprehu gatishmërinë për të sakrifikuar gjithçka për Jakupin, duke e cilësuar atë si “burri i urtë dhe ideologu i shtetësisë sonë”.