Xhemile Dehari: Pse Lëvizja Vetëvendosje nuk e zgjidhi rastin e Astrit Deharit?

Në një konferencë për media që u mbajt para Prokurorisë Speciale, në përkujtim të 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, nëna e tij, Xhemile Dehari, kishte një përballje verbale me një gazetar.

Ky i fundit e pyeti mbi veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë gjashtë vjetëve në pushtet për zbardhjen e rastit.

Dehari iu përgjigj duke theksuar se pyetjet duhet të përqendrohen gjithashtu te ata që janë përgjegjës për vdekjen e Astritit dhe periudhën kur ndodhi ngjarja. “Pse Vetëvendosje që gjashtë vjet nuk e zgjidh problemin?

Pse nuk e shtroni pyetjen kush e vrau Astritin para gjashtë vjetëve?

A i harruat ato katër vjet?

Në cilën qeveri u vra Astriti dhe kush ka qenë përgjegjës në atë kohë?”, u shpreh ajo.

Xhemile Dehari kritikoi gazetarët dhe deputetët që, sipas saj, po e përqendrojnë përgjegjësinë për zbardhjen e rastit vetëm te Qeveria aktuale, duke anashkaluar periudhën e kaluar.

Ajo përmendi ish-kryeprokurorin Sylë Hoxha, duke theksuar se ai ishte propozuar nga LDK-ja për deputet dhe se kishte tentuar ta mbyllte rastin brenda 15 ditësh. “LDK-ja e ka pasur kandidat për deputet Sylë Hoxhën, i cili ka dashur ta mbyllë rastin për 15 ditë.

E tash dalin kërkojnë drejtësi te VV-ja.

Le t’i tregojnë ato të vetat për katër vjet”, tha ajo.

Dehari po ashtu pretendoi se Astrit Dehari ishte vrarë për shkak të përkatësisë dhe aktivitetit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim që të frikësoheshin aktivistët e rinj të kësaj partie. “Astriti ka qenë aktivist i Vetëvendosjes dhe ka vdekur për Vetëvendosjen.

E kanë mbytur për VV-në, e jo për diçka tjetër, vetëm për t’i frikësuar të rinjtë e VV-së që të mos merrnin pjesë, sepse e dinin që po vjen LVV-ja dhe po i rrëzon”, theksoi Xhemile Dehari.

Në përfundim, ajo theksoi se Astriti ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kërkoi që deputetët të angazhohen për drejtësinë e tij, duke iu referuar edhe periudhës kur ai ishte në paraburgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *