Zëdhënsja e Qeverisë, Marija Miteva, njofton se në seancën e sotme, Qeveria miratoi vendimin për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve. “Bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm institucional, me të cilin vendoset mekanizmi i organizuar për koordinim ndërmjet institucioneve shtetërore kompetente dhe organizatave mediatike, qëllimi kryesor i të cilit është avancimi i sigurisë së gazetarëve, parandalimi i kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe krijimi i kushteve për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të profesionit të gazetarisë.
Dëshirojmë që kjo çështje të trajtohet në mënyrë të vazhdueshme institucionale, me obligime të qarta dhe mekanizma konkretë për veprim.
Siguria e gazetarëve nuk duhet të jetë temë vetëm kur ndodh ndonjë incident.
Obligimi i institucioneve është të veprojnë me kohë, t’i identifikojnë rreziqet dhe të sigurojnë mbrojtjen e duhur.
Komiteti Nacional do të ketë për detyrë të ndjekë gjendjen me sigurinë e gazetarëve, të avancojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mediatik, si dhe të hartojë Planin Nacional për Veprim për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve më së voni deri më 15.12.2026, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare.
Plani do të bazohet në katër fusha thelbësore: parandalimi, mbrojtja, ndjekja efikase penale e kryerësve dhe promovimi dhe edukimi.