Mesazhi i Bujar Osmanit: Mobilizimi i mërgatës në mbështetje të politikave pro-shqiptare

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Bujar Osmani, ka vlerësuar se mobilizimi i jashtëzakonshëm i mërgatës dhe bashkimi i qytetarëve në Bërvenicë përbëjnë një mesazh të qartë kundër politikave që ai i cilëson si anti-shqiptare dhe anti-europiane të OBRM-PDUKM-së dhe Qeverisë.

Osmani theksoi se qytetarët kanë filluar të reagojnë ndaj këtyre politikave, duke paralajmëruar se ato nuk mund të mbijetojnë në afatgjatë. “Mobilizimi i jashtëzakonshëm i mërgatës, edhe bashkimi i njerëzve në Bërvenicë, ishte një mesazh për politikat anti-europiane dhe anti-shqiptare të OBRM-PDUKM-së dhe Qeverisë.

Kjo është e rëndësishme.

Ajo që po ndodh, është se populli ka nisur të përgjigjet, t’u tregon se nuk mundeni në afatgjatë me politika anti-shqiptare dhe anti-europiane.

Ndoshta mund të kaloni ndonjë periudhë ta caktuar, të fitoni ndonjë betejë elektorale, mund të qëndroni më pak ose më shumë në Qeveri, por koha në Maqedoni e politikave anti-shqiptare ka marrë fund në vitin 2001”, deklaroi Osmani.

Osmani e ka cilësuar si skandaloze kumtesën e sotme të VLEN-it, në të cilën thuhet se shoqëria ende nuk ka arritur të krijojë një model multietnik.

Ai kritikoi reagimet e liderëve të VLEN-it pas fitores së kandidatit shqiptar, Arkin Jahijut, duke theksuar se ata nuk kishin bërë thirrje të qartë për mbështetjen e tij gjatë procesit zgjedhor. “Kandidati i tyre ose kundërkandidati i Arkin Jahiut bëri një veprim të mirë natën kur shkoi në shtabin tonë dhe u përshëndet me kandidatin fitues.

Ajo që vijoi më pas krijoi një konfuzion në deklaratat e liderëve të VLEN-it, se në asnjë moment nuk bënë thirrje për mbështetje të kandidatit shqiptar atje.

Në fakt, krijuan konfuzion dhe thanë: le të fitojë më i miri, ose mos ta ngatërrojë etikën me etnikën, dhe të vijmë deri te kumtesa skandaloze e sotme e VLEN-it, e cila thotë se për fat të keq ende nuk kemi arritur që shoqëria jonë të krijojë modelin multietnik, sikur t’u kërkojnë falje shqiptarëve ose qytetarëve që ka fituar kandidati shqiptar”, deklaroi Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *