Të rralla ishin ditët e bardha për një grua të cila, për 20 vite martesë, u përball me dhunë fizike e psikike nga ish-bashkëshorti i saj, Astrit Isufi.
Më 6 nëntor të vitit 2025, dhuna mori një kthesë tragjike, kur ky i fundit, dyshohet se vrau dy vëllezërit e saj në Malishevë.
Isufi ndodhet në paraburgim, ndërsa viktima, në një rrëfim për Dukagjinin, ka treguar rrethanat e asaj dite tragjike. “Deri dul vllau jem nuk u hiqke, e qeli xhamin, e qitke armën edhe e ofendojke vllaun tem, I thojke dil jashtë kerrit merremi vesh si burrat.
Ai sja ka qel derën, edhe e ka nxjerre armën, e ka gjujtr vllaun tem të voglin, kur e ka ni krismën, ka dalë vllau jem i madh, edhe atë e ka gjujt, krejt fëmija janë kanë aty e gratë jashtë, n’sy të fëmijëve e ka bë këtë krim,” ka deklaruar N.N, viktimë e dhunës në familje.
Tragjedia e 6 nëntorit, nuk ishte hera e parë kur Isufi dyshohet se kishte përdorur armën për t’i kërcënuar vëllezërit e saj.
Për këtë, Gjykata Themelore kishte vendosur dënim me vlerë prej 200 eurosh për të dhe vëllain e tij, ndërsa për veprën penale, dhunë në familje, ajo e Apelit e dënoi Astrit Isufajn me vetëm 3 muaj burgim.
Megjithatë, dhuna ndaj saj dhe pesë fëmijëve nuk përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve.
Ajo ende sot përballet me kërcënime e shantazhe nga familjarët e ish-bashkëshortit. “Më herët e kemi lajmëru se po na sillen kësajde, policia se kanë marrë këtë rast në dorë hiç, kanë thënë shkoni në Malishevë jo këtu.
S’u bë as një muaj kur e kanë marrë djalin pa lejen tonë, kur e kena lajmëru rastin, policia na thanë atje është.
Mezi e kanë marrë prej tyre.” Tash, kur kanë kaluar thuajse 1 vit nga vrasja e dyfishtë, ende nuk është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Gjakovës, ndërsa për ecurinë e rastit ka folur avokati i familjes së viktimave. “Menjëherë kur ka ndodh rastin, në muajin vijues kanë fillu edhe intervistimet, sepse është një numër I madh I dëshmitarëve që kanë qenë aty, është tërë familja dëshmtiarë, mirëpo janë disa prova që marrin kohë, janë disa ekspertiza që kanë të bëjnë me fushën balisitike, dhe ato vonohen,” ka theksuar Meshari Selimaj, avokat i familjes së viktimave.
Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka bërë të ditur se hetimi për Isufin për veprat vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje është në fazën përfundimtare.
Ky institucion, sipas përgjigjës, është në pritje të pranimit të raporteve të ekspertimit nga Agjencia Kosovare e Forenzikës.
Përtej hetimeve për vrasjen e dy vëllezërve, mbetet siguria e gruas që thotë se dhuna ndaj saj nuk ka përfunduar.
Televizioni ka kërkuar informacione nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Gjakovë lidhur me masat mbrojtëse të ndërmarra për viktimën, mirëpo deri në publikimin e kronikës, nuk ka pranuar informacione të tilla.