Inspektorati Qendror i Punës ka marrë masat për ndalimin e punimeve në dy objekte ndërtimi, një në Prishtinë dhe një tjetër në Viti, pas konstatimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimet për ndalimin e punimeve janë marrë pas inspektimeve të realizuara në terren, ku janë evidentuar mangësi në zbatimin e masave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP).
Punimet në të dy objektet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë thirrje për të gjithë punëdhënësit që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e punëtorëve në vendet e punës.