Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, shprehu shqetësim për bllokadat institucionale nga shtatori 2025 deri në shtator 2026, të cilat kanë ngadalësuar reformat dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Gjatë prezantimit të Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2026, Schuebel theksoi se ky periudhë ishte karakterizuar nga paqëndrueshmëri institucionale, me tri palë zgjedhje brenda 16 muajve, Kuvendi që ishte kryesisht i pa konstituuar, dhe një Qeveri që ka funksionuar kryesisht në detyrë.
Sipas tij, kjo situatë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në ritmin e reformave, e cila është reflektuar edhe në raportin e Komisionit Evropian.
Megjithatë, ambasadori vlerësoi se situata aktuale është përmirësuar, pasi Kosova tani ka një Kuvend të konstituuar, një Qeveri me mandat të plotë dhe një presidente të zgjedhur.
Ai theksoi se institucionet funksionale ofrojnë një mundësi për Kosovën që të përmirësojë vonesat në reforma, duke theksuar se kjo mundësi nuk duhet humbur.
Schuebel vuri në dukje se, përkundër një viti të vështirë, Kosova ka shënuar përparim në disa fusha.
Ai përmendi zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale si të rregullta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu, sipas tij, Kosova ka avancuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka bërë përparim në fusha të tjera si reforma e administratës publike, liria dhe siguria, statistikat, lëvizja e lirë e kapitalit, shërbimet financiare dhe politika rajonale.
Si hapa pozitivë, ambasadori theksoi miratimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe ratifikimin e tri protokolleve shtesë të CEFTA-s.
Ai theksoi se këto zhvillime janë të rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar, integrimin ekonomik rajonal dhe përgatitjet e Kosovës për t’u bashkuar me Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Megjithatë, Schuebel theksoi se shumë reforma vazhdojnë të mbeten pezull, veçanërisht në fushën e sistemit gjyqësor dhe të drejtave themelore, ku sipas tij nuk është shënuar përparim domethënës.
Ai kërkoi përfundimin e reformës në drejtësi në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke theksuar se cilësia e reformave duhet të ketë përparësi ndaj shpejtësisë së zbatimit të tyre.
Në këtë kontekst, ambasadori rikujtoi se mandati aktual i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare, pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit.
Një tjetër fushë ku Schuebel kërkoi përmirësime është liria e shprehjes.
Ai theksoi nevojën për të avancuar kornizën ligjore, duke përfshirë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Gjithashtu, ai theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e besueshme dhe miratimi i një strategjie kundër korrupsionit, në përputhje me standardet evropiane, mbetet urgjent.
Ambasadori gjithashtu theksoi nevojën që Kosova të përafrojë më tej legjislacionin dhe politikat e saj me rregullat e BE-së, veçanërisht në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Në lidhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë, Schuebel vlerësoi përputhjen e plotë të Kosovës me politikën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së raportimit dhe zbatimin e sanksioneve evropiane, duke i cilësuar ato si dëshmi të përkushtimit të vendit ndaj vlerave të Bashkimit Evropian.
Për herë të parë, raporti i këtij viti përfshin edhe një kapitull të veçantë për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Në përfundim, ambasadori theksoi se rindërtimi i besimit me komunitetin serb në Kosovë dhe zbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga dialogu me Serbinë mbeten pjesë e rëndësishme e rrugës evropiane të Kosovës.