Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka filluar zbatimin e Programit të Përhershëm të Survejimit dhe Monitorimit të Sektorit të Qumështit, i cili ka për qëllim kontrollimin e të gjitha hallkave të zinxhirit të prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve të tij.
Ky program, që po realizohet në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit, parashikon kontrolle të rregullta zyrtare dhe marrjen e mostrave për analiza laboratorike, për të identifikuar herët rreziqet dhe garantuar sigurinë ushqimore.
Sipas AUV-së, mbikëqyrja do të përfshijë të gjithë zinxhirin e prodhimit, duke nisur nga ushqimi për kafshët, prodhimi i qumështit në ferma, grumbullimi dhe transporti, deri te përpunimi, paketimi, importi, shpërndarja dhe tregtimi i produkteve të gatshme.
Kontrollet do të përfshijnë si produktet vendore, ashtu edhe ato të importuara.
Në kuadër të programit, çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore.
Ndër të tjera, do të kontrollohet përmbajtja e yndyrave dhe proteinave, prania e vajit të palmës dhe yndyrave të tjera bimore, përdorimi i qumështit pluhur, aflatoksinat, mbetjet e antibiotikëve dhe substancat e tjera të palejuara.
Po ashtu, analizat mikrobiologjike do të përfshijnë kontrollet për baktere si Salmonella spp., Listeria monocytogenes dhe Escherichia coli.
Programi parashikon gjithashtu kontrollin e ushqimit për kafshë për praninë e mikotoksinave dhe kontaminantëve të tjerë, si dhe analizimin e qumështit të papërpunuar në ferma dhe pikat e grumbullimit.
AUV ka bërë të ditur se kontrollet do të bazohen në vlerësimin e rrezikut, rezultatet laboratorike dhe historikun e përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore.
Kjo qasje synon kalimin nga kontrollet kryesisht reaktive në një sistem të planifikuar dhe sistematik të mbikëqyrjes.
Në rastet kur konstatohen parregullsi, do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë ndalimin e tregtimit, tërheqjen e produkteve që nuk i përmbushin standardet dhe iniciimin e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës.
Sipas njoftimit, programi është pjesë e iniciativës së nisur nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dhe ka si qëllim forcimin e kontrollit në sektorin e qumështit, mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në treg.