Shqiptari Bledar Ndreca, në një lidhje live nga Polonia për emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania, ka folur për sulmin e tmerrshëm që ndodhi në Krakov, ku humbën jetën 9 persona.
Ndreca ofroi detaje të rëndësishme lidhur me ngjarjen, duke njoftuar se Prokuroria ka ngritur dy procedime.
Ai shpjegoi se procedimet janë të lidhura me vrasjen e tre familjarëve të autorit dhe sulmin tjetër që rezultoi me 6 viktima nga 24-vjeçari, i cili po cilësohet si një person me background terrorist.
Ndreca theksoi se autori ishte i armatosur dhe kishte veshur rroba ushtarake, ndërsa forcat e armatosura polake kanë hedhur poshtë thashethemet se ai ishte pjesë e tyre. “24-vjeçari nuk ka precedent të mëparshëm penal, edhe pse në një moment u përfol se ishte pjesë e një klubi qitjeje, por klubi vetë e përgënjeshtroi këtë.
Nuk ka qenë pjesë e forcave të armatosura, siç u deklarua nga vetë forcat e armatosura.
Në aktin terrorist, ai ishte i veshur me veshje ushtarake, me antiplumb, dhe ishte i armatosur me armë automatike, një nga ato AR15.
Ka pasur edhe armë të tjera në bagazhin e makinës.
Këto janë informacionet që autoritetet kanë ofruar për momentin lidhur me background-in e tij, një person që nuk ka patur precedent të tjerë kriminal.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes në lidhje me dezinformimin.