Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë këtë si fakt.
Gjatë fjalës së tij në “Forumin e Paqes” në Musée de l’Homme në Paris, Rama u ndal te roli i Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe në marrëdhëniet me vendet fqinje, përfshirë Serbinë.
Ai theksoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend paqedashës dhe se në dekadën e fundit ka qenë aktive në përpjekjet për nxitjen e paqes në rajon.
Duke folur për marrëdhëniet me fqinjët, Rama theksoi rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të mira, pavarësisht dallimeve dhe rrethanave historike.
Përsa i përket Kosovës, kryeministri shqiptar u shpreh qartë, duke theksuar se pavarësia e saj nuk mund të zhbëhet dhe nuk mund të trajtohet si një pretendim apo fantazi e Serbisë. “Sa i takon çështjes së Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një pikëpyetje.
Kosova është një shtet i pavarur, që njihet nga shumë vende dhe nuk ka kthim pas, dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe.
Sa më shpejt serbët ta shikojnë si një fakt, nuk do të përfshihen nga kjo fantazmë,” tha Rama.
Ai gjithashtu diskutoi për konceptin e lirisë, duke ndarë përvojën e tij në moshën 26-vjeçare, kur luftoi për të udhëtuar dhe për të parë botën. “Unë e kuptoj lirinë si ndjesinë për të ardhur këtu dhe për të folur me ju.
Në moshën time 26-vjeçare më duhej që të luftoja për të parë botën.
Kështu e përkufizoj unë lirinë, që mund të them çfarë të dua, të shkoj kur të dua,” shprehu ai.
Në fund, Rama përsëriti rëndësinë e fqinjësisë së mirë, duke theksuar se vendet nuk kanë mundësi të zgjedhin fqinjët e tyre, por mund të zgjedhin mënyrën se si ndërtojnë marrëdhëniet me ta.