Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka ritheksuar rëndësinë e një marrëveshjeje politike mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e përshkruan si “koalicion për shtet”.
Në një deklaratë jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, Mustafa shprehu mbështetje për bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, pavarësisht kundërshtimeve që, sipas tij, ekzistojnë për një marrëveshje të tillë.
Ai tha se disa nga ata që kundërshtojnë këtë propozim besojnë se një koalicion i tillë do t’ia zgjaste mandatin politik kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ai duhet të përballet me sfidën e zgjedhjeve.
Megjithatë, Mustafa kujtoi se Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje radhazi, duke theksuar se respekton qëndrimin e atyre që kërkojnë vazhdimin e konkurrencës politike përmes zgjedhjeve. “Pikërisht për këtë kam propozuar bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Atë e kam quajtur koalicion për shtet.
E di se ka kundërshtime të shumta.
Disa thonë se koalicioni i tillë do t’ia zgjaste jetën politike Albin Kurtit dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje.
Ju kujtoj se tri herë radhazi janë mbajtur zgjedhje, njëra pas tjetrës.
Megjithatë, e respektoj këtë qëndrim dhe besoj se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën”, tha ai.