Kryeministri Kurti Diskuton Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Temë kryesore e këtij takimi ishte anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.

Kurti ka theksuar se gjatë takimit janë vazhduar diskutimet për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e çmuar rëndësinë që vendi të bëhet pjesë e kësaj organizate evropiane.

Në një postim, ai theksoi se anëtarësimi do t’u ofronte qytetarëve të Kosovës qasje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Është tejet e rëndësishme që, nëpërmjet pranimit në Këshill, Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka deklaruar Kurti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare që fokusohet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është një prej synimeve kryesore të politikës së jashtme të vendit, pasi do të mundësonte përfshirjen në mekanizmat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe do të krijonte mundësinë që qytetarët t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas shterimit të mjeteve juridike vendore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *