Blerja e një banese është bërë gjithnjë e më e vështirë për qytetarët e Kosovës.
Në disa lagje të Shkupit, çmimi për metër katror ka tejkaluar 3.000 euro, ndërsa të ardhurat e qytetarëve mbeten shumë larg këtyre niveleve.
Për shumë familje, edhe marrja e një banese me qira është bërë një barrë e madhe për buxhetin familjar.
Interesimi për blerjen e banesave ka rënë dukshëm.
Agjentët e shitjes e shpjegojnë këtë situatë si pasojë e politikave të dobëta shtetërore për banimin. “Situata aktuale në vend, sa i përket çështjes së banimit, nuk është aspak e mirë.
Nëse më pyesni se nga vjen kjo situatë, duhet të them se këtu kemi shumë më tepër tregues.
Por, pyetja kryesore që duhet shtruar është: A ka shteti një politikë aktive të banimit?
Fatkeqësisht, përgjigjja ime është se shteti nuk ka një politikë aktive të banimit,” shprehet Marjan Dimitriev, Drejtor i “B2realstate”.
Qytetarët shprehin shqetësimin se me rrogat aktuale nuk mund të paguajnë qiratë, e lëre më të blejnë një banesë të re. “Shtrenjtë janë, jo me rrogën tonë.
Shtet pa kontroll, askush asgjë nuk kontrollon.
Për me ble, çmimet janë në stratosferë, a nuk vlejnë aq, e di që nuk vlejnë,” thotë një qytetar.
Një tjetër qytetar thekson: “Për mua asnjë nuk është e lehtë me pas mundësi që shteti të mundësojë si jashtë, atëherë e merr banesën dhe e di që e paguan dhe është e jotja.
Edhe qiratë janë shumë tepër të larta, rrallë gjen ndonjë shtëpi, e atë ndonjë barak të keqe për 200–250 euro dhe atë një dhomëshe.” “Si jo, shumë shtrenjtë është.
Unë nuk kam para, me pensionin tim nuk kam asnjë mundësi të blej banesë, kjo as që më shkon ndërmend.
Edhe ai që e merr banesën me qira duhet të paguajë qiranë dhe kështu nuk ia del dot,” thotë një tjetër qytetar.
Të dhënat e Kadastrës tregojnë se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 janë shitur 1.856 banesa, 14 për qind më pak se në tremujorin paraprak.
Në të njëjtën periudhë, numri i banesave të dhëna me qira është rritur për 45 për qind, ndërsa shuma e përgjithshme mujore e qirave është rritur për 31 për qind. Çmimet e shitjeve kanë arritur nivele të larta.
Në Karposh, një banesë është shitur për 3.121 euro për metër katror, ndërsa në Qendër të Shkupit, një banesë e re ka arritur çmimin prej rreth 3.160 euro për metër katror. Çmimet e banesave të reja u rritën ndjeshëm pas pandemisë, kur u rritën çmimet e materialeve bazë si hekuri, druri dhe betoni, duke shtuar këtu edhe çmimet e derivateve të naftës.