Të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare u mbledhën në Parlamentin e Shqipërisë, në kuadër të forumit “Foli Shqip”, një aktivitet që theksoi rëndësinë e identitetit kombëtar, dashurisë për atdheun dhe bashkëpunimit ndërmjet brezave të rinj shqiptarë.
Një nga grupet pjesëmarrëse ishin edhe studentët nga Maqedonia e Veriut, të cilët zhvilluan një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në fjalimin e tij, Begaj theksoi se pa gjuhën shqipe nuk ka shqiptari, duke përcjellë mesazhin se shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar për të mbrojtur vlerat e tyre kombëtare. “Duhet të bësh punë të vogla me dashuri të madhe, për atë që është më e madhe se të gjithë ne, atdheun!
Pa gjuhë, pa të folurën shqip, nuk ka atdhe, nuk ka shqiptari”, u shpreh Begaj.
Forumi “Foli Shqip”, një nismë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, u organizua me mbështetje nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës dhe tri universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut.