Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, sot iu përgjigj një pyetjeje të deputetëve lidhur me shujtën studentore.
Ai paralajmëroi një koncept të ri që do t’i ofrojë studentëve një spektër më të gjerë përfitimesh përmes aplikacionit “M.shërbime”.
Ky model do të ndryshojë atë të deritanishëm, me qëllim që privilegjet të vlejnë gjatë gjithë vitit dhe të përfshijnë shërbime të ndryshme. “Koncepti është të zhvillojmë një qasje krejtësisht të re kur bëhet fjalë për privilegjet që do të mund t’i shfrytëzojnë studentët.
Mos të kufizohemi në konceptin e shujtës ditore, i cili shoh se po keqpërdoret mjaft edhe politikisht nga disa politikanë periferikë të opozitës, por po flas që të ketë përmbajtje.
Dhe kjo do të jetë pjesë e aplikacionit të cilin po e zhvillon Ministria e Transformimit Digjital, e ai është “M.shërbime”, i cili tashmë po merr intensitet.
Dhe këtu po punojmë bashkërisht me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, me Ministrinë e Transformimit Digjital, Sekretariatin e Përgjithshëm, kabinetin tim dhe Ministrinë e Financave.” Mickoski theksoi se nga mbledhja e fundit e Qeverisë do të përfshihet edhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, e cila po zhvillon një aplikacion të ri dhe një kartelë tjetër, përkatësisht kartelën rinore.
Kështu, qëllimi është të krijohet një koncept më të gjerë përfitimesh që do t’i shfrytëzojnë studentët tanë.