Afati për Apelimin e Dënimeve të Drejtuesve të UÇK-së përfundon më 27 Nëntor

Të premten, më 27 nëntor, skadon afati për mbrojtjen e drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për të njoftuar apelimin e vendimit dënues të gjykatës së shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, i shpallur më 16 shtator.

Avokatët e katërshes kanë bërë të ditur se do të kundërshtojnë këto dënime, pasi i konsiderojnë ato të padrejta.

Sa i përket procesit të apelimit, nuk ka një afat të caktuar se kur pritet të përfundojë.

Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi gjithashtu me 25 vjet, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Cilat janë procedurat që palët ndjekin për apelim?

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët që apelojnë vendimin e gjykatës duhet të dorëzojnë njoftimin për apel, ku parashtrohen arsyet e apelimit, brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.

Pas kësaj, kryegjykatësi i panelit të Gjykatës së Apelit mund të caktojë një gjykatës raportues që do të marrë masat e nevojshme për procedurën.

Pas 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi thërret një konferencë për të diskutuar çështjet rreth apelit.

Palët duhet të dorëzojnë dosjen e apelit që përmban të gjitha argumentet dhe burimet ligjore që mbështesin arsyet e apelimit brenda 60 ditësh.

Më pas, dorëzohet dosja e përgjigjes, në të cilën paraqiten argumentet ligjore të palëve.

Pas këtyre procedurave, Gjykata e Apelit cakton datën e seancës, nëse është e nevojshme.

Rregullorja lejon dorëzimin e provave shtesë, të cilat, nëse pranohen, mund të sjellin edhe kundërprova nga pala tjetër.

Paneli i Apelit shqyrton çdo provë shtesë të pranuar dhe mund të lërë në fuqi, të zhbëjë ose të ndryshojë aktgjykimin e trupit gjykues.

Nëse kërkesa për apel vjen vetëm nga të shpallurit fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të japë një vendim më të rëndë se ai i shkallës së parë.

Vendimi i Apelit pritet të shqiptohet brenda 60 ditësh nga dorëzimi i fundit nga palët.

Edhe pse mund të kërkohet kohë shtesë, ajo nuk duhet të kalojë një muaj dhe duhet të arsyetohet.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim juridik që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabim faktik që ka shkaktuar dështimin e drejtësisë, ose ndonjë gabim në dhënien e dënimit.

Nëse palët nuk janë të kënaqura, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe më pas në atë Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *