Gazetari Enver Robelli ka shprehur kritika ndaj komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit italian Roberto Vergori, për pritjen dhe takimin me oficerë të ushtrisë serbe në komandën e KFOR-it në Prishtinë.
Ai ka vënë në dyshim profesionalizmin e ushtrisë serbe, duke u bazuar në të kaluarën e saj në Kosovë.
Në një reagim të tij, Robelli thekson se më 14 tetor, gjenerali Vergori mori komandën e trupave të NATO-s në Kosovë, ndërsa vetëm gjashtë javë më vonë, oficerët e ushtrisë serbe vizituan komandën e KFOR-it, ku u pritën dhe u lavdërua profesionalizmi i tyre.
Gazetari ka ngritur pyetjen se për çfarë profesionalizmi është fjala, duke përmendur veprimet e ushtrisë serbe ndaj Kosovës, përfshirë demonstrimin e fuqisë ushtarake në drejtim të kufirit dhe dyshimet për përfshirjen e saj në përgatitjen e grupit të armatosur të Milan Radoiçiqit, i cili kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023. “Për profesionalizmin e një ushtrie që para disa muajsh, me urdhër të autokratit Aleksandar Vuçiq, nisi në mënyrë teatrale tanke, avionë luftarakë dhe mjete të tjera ushtarake në drejtim të Kosovës?
Të një ushtrie që dyshohet se i vuri në dispozicion poligonet e saj bandës terroriste të Milan Radoiçiqit, para se ajo të kryente sulmin në veri të Kosovës dhe të vriste një polic të Kosovës?”, ka shkruar Robelli.
Ai gjithashtu përmendi se ushtria serbe vazhdon të promovojë veprat e gjeneralëve dhe komandantëve të dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, si Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, të cilët u dënuan për krime të kryera në Kosovë.
Robelli thekson se Llazareviqi vazhdon të ligjërojë para kadetëve në Akademinë Ushtarake në Beograd, dhe librat e tij dhe të Pavkoviqit, në të cilët mohohen krimet e kryera në Kosovë, janë promovuar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në Panairin e Librit në Beograd.
Ai rikujton titullin e një ligjërate të Llazareviqit: “Heroizmi dhe humanizmi i ushtarëve serbë në mbrojtje nga agresioni i NATO-s dhe në kryerjen e operacionit antiterrorist në Kosovë e Metohi 1998–1999”.
Robelli gjithashtu thekson se vetëm pak ditë pas marrjes së komandës nga Vergori, Ministria serbe e Mbrojtjes shfaqi filmin propagandistik “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu”, i cili glorifikon një trupë ushtarake që ishte përgjegjëse për krime ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë.
Ai thekson se, ndonëse komandanti i KFOR-it dhe zyrtarët e tjerë mund t’i referohen marrëveshjes ushtarako-teknike të vitit 1999, rrethanat politike dhe realiteti në Kosovë kanë ndryshuar rrënjësisht.
Sipas tij, 27 vjet pas përfundimit të luftës dhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qëndrimet e zyrtarëve ndërkombëtarë duhet të përshtaten me këtë realitet të ri. “Vizitat e oficerëve serbë në Prishtinë nuk e shtojnë sigurinë e askujt.
Përkundrazi, ato rihapin plagët e së kaluarës”, ka shkruar Robelli.
Ai sugjeron që në takimet e ardhshme me oficerët serbë, gjenerali Vergori të kërkojë llogaridhënie nga Serbia për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Ai përmendi rastin e Ljubiša Dikoviqit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, i akuzuar për krime lufte në Drenicë, si dhe për fshehjen dhe transportimin e trupave të viktimave në rastin e varrezës masive në Rudnicë.
Në përfundim, Robelli kritikon qasjen e komandantit të KFOR-it, duke theksuar se ai duhet të marrë parasysh historinë e ushtrisë serbe dhe përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.