Rinori Shqiptar Humb Jetën në Shkëmbim Zjarri në Itali

Një rinor shqiptar ka humbur jetën në një shkëmbim zjarri që ndodhi pasditen e së premtes në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias, Itali.

Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni të Policisë, sipas raportimeve të A2 CNN.

Sipas informacioneve paraprake, efektivët e policisë nga rajoni i Kampanias kishin shkuar në zonë për të ekzekutuar dy urdhër-arreste.

Gjatë ndërhyrjes, ata u përballën me tre persona që ndodheshin në një banesë të izoluar në fshatrat e zonës.

Si pasojë e të shtënave, njëri prej personave, i cili ishte gjithashtu objekt i një urdhër-arresti, ka mbetur i vrarë, ndërsa një tjetër është arrestuar nga policia.

Personi i tretë, i kërkuar nga autoritetet dhe i armatosur, arriti të largohej duke u fshehur në fushat përreth banesës.

Menjëherë pas ngjarjes, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e tij, ku morën pjesë forca të shumta policore, si dhe një helikopter që monitoronte zonën nga ajri.

Autoritetet italiane vazhdojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e personit të arratisur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *