Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar një ngarkesë prej 27 tonësh misër në kufi dhe e ka kthyer atë në Serbi.
Analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e aflatoksinës B1, e cila tejkalon kufirin e lejuar.
Sipas AUV-së, ngarkesa ishte importuar nga kompania “Ideal Group” nga Peja dhe nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës.
Ky misër merkantil në kokrra, i cili mund të përdoret si lëndë e parë për ushqimin e kafshëve ose për përpunim të mëtejshëm, kishte si origjinë kompaninë “Agro Dom Doo” nga Crvenka, Serbia, sipas faturës datë 10 nëntor 2026.
Ngarkesa ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.
Gjatë kontrollit kufitar, inspektorët e AUV-së morën mostra të produktit për analiza laboratorike.
Rezultatet konfirmuan praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg, që është 45% më e lartë se kufiri maksimal i lejuar, i cili është 0.020 mg/kg ose 20 mikrogramë për kilogram. Çfarë rreziku paraqet aflatoksina B1?
Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër e drithëra të tjera.
Sipas AUV-së, nëse misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina B1 mund të kalojë në qumësht si aflatoksina M1.
Kjo përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve, pasi ndotja mund të përfundojë në zinxhirin ushqimor përmes produkteve të qumështit.
Prandaj, AUV ka marrë masën e kthimit të ngarkesës prej 27 tonësh në vendin e origjinës, duke parandaluar shpërndarjen e këtij produkti në tregun e Kosovës.