Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka shprehur pritshmëritë e tij nga Prokuroria Speciale për një epilog në rastin e vdekjes së Astrit Deharit, duke theksuar se provat e mbledhura dëshmojnë se ai është vrarë.
Në një deklaratë para objektit të Prokurorisë Speciale, në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së Astrit Deharit, Gashi tha se familja shpreson që rasti të trajtohet sipas provave dhe jo të mbyllet pa një përgjegjësi të qartë. “Besoj që epilogu i vetëm përfundimtar është që, në bazë të provave që janë, Astrit Dehari është vrarë para 10 viteve”, theksoi Gashi.
Ai e akuzoi ish-kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, për tentativën për ta paraqitur rastin si vetëvrasje para përfundimit të hetimeve.
Gashi njoftoi se në emër të familjes ka paraqitur një kallëzim penal lidhur me deklaratat e Hoxhës, por sipas tij, ky kallëzim nuk është trajtuar.
Avokati gjithashtu ngriti shqetësime për mënyrën se si opinioni publik ishte trajtuar pas vdekjes së Astrit Deharit, duke përmendur publikimin e disa incizimeve nga burgu i Prizrenit, të cilat sipas tij ishin publikuar me qëllim për të manipuluar opinionin dhe ishin nxjerrë para përfundimit të hetimeve nga Prokuroria.
Gashi theksoi se prova kryesore në këtë rast është trupi i Astrit Deharit dhe rezultatet e ekspertizës ligjore nga Zvicra. “Një miliard për qind jemi të bindur që trupi i Astrit Deharit është prova kryesore që tregon se Astrit Dehari është vrarë.
Këtë e thotë edhe ekspertiza ligjore e Zvicrës”, deklaroi ai.
Për më tepër, sipas Gashit, në ekspertizë është identifikuar ADN-ja e një personi të tretë.
Ai ngriti pretendime për një tentim të manipulimit të ekspertëve zviceranë, duke theksuar se një plikoje që supozohej të përmbante mbetje të thonjve të Astrit Deharit kishte qenë e zbrazët.
Gashi shprehu pritshmëri që ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të niste procedura penale ndaj prokurorit përgjegjës.
Në përfundim, ai kërkoi që rasti të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. “Familja e Astritit dhe të gjithë ne kërkojmë drejtësi”, përfundoi ai, duke pretenduar se Astrit Dehari ishte vrarë për shkak të aktivitetit të tij politik në Lëvizjen Vetëvendosje.