Besnik Tahiri Kritikon Raportin e BE-së për Kosovën: Degradimi i Demokracisë dhe Problemet me Korrupsionin

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka shprehur kritika të ashpra për gjetjet e Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ai theksoi se ky raport tregon degradim të demokracisë, mungesë të mbikëqyrjes parlamentare, si dhe probleme të shumta në luftën kundër korrupsionit dhe kufizimin e lirisë së mediave.

Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, Tahiri u shpreh se raporti i BE-së është një nga më negativët që Kosova ka marrë ndonjëherë, dhe kritikoi ashpër funksionimin e Qeverisë. “Pas dorëzimit të këtij raporti nga BE-ja, na është dhënë një vlerësim tejet negativ.

Ku bazohet kjo?

Ka degradim të skajshëm të demokracisë në vend, dhe mbikëqyrja parlamentare ndaj qeverisë është pothuajse inekzistente.

Qeveria, sipas këtij raporti, vepron e vetme, pa dhënë llogari për sektorët kryesorë që duhet të kishin bërë progres.

A e dini se ky raport tregon se kjo qeveri është e vetmja që nuk ka një strategji kundër korrupsionit, një detyrim që dokumentohet çdo vit?

Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një problem i madh”, tha Tahiri.

Tahiri shprehu gjithashtu shqetësime për lirinë e mediave dhe gjendjen e të rinjve në tregun e punës, duke akuzuar pushtetin për nepotizëm dhe klientelizëm politik. “Vendi që ka luftuar për lirinë e vet, ka lirinë e mediave të kufizuar më shumë se kurrë, dhe kjo duhet të shqetësojë një shoqëri që ka qenë viktimë e mungesës së lirisë.

A mund të besoni se 33.4% e të rinjve nga 15 deri në 29 vjeçare nuk janë në punë, shkollim apo trajnime profesionale?

Kjo është një nga arsyet e ikjes së qytetarëve.

Në fund, është kapja e shtetit.

A e kuptoni se mbi sakrificën e aktivistëve të LVV-së, ministrat tuaj janë fokusuar vetëm në nepotizëm dhe klientelizëm për të ardhur në pushtet?

Shumica dërrmuese nuk dinë çfarë do të thotë të bësh opozitë”, tha Tahiri.

Duke folur për 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, ai kërkoi drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për zbardhjen e rastit. “Në shënimin e 10 vjetorit të vrasjes së Astrit Deharit, pa asnjë dyshim, kërkojmë nga shteti dhe sistemi i drejtësisë, drejtësi për Astritin.

Po ashtu kërkojmë përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga kjo shumicë që ka fituar mbi 60% dhe nuk ka arritur të na sjellë një evidencë të thjeshtë për këtë rast.

Mos e politizoni, por kërkoni llogaridhënie nga ata që janë në pushtet që prej gjashtë vjetësh dhe nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje.

Ne kërkojmë edhe llogaridhënie”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *