Më 15 nëntor, fillon zbatimi i detyrimit ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete në Maqedoninë e Veriut.
Policia do të realizojë kontrolle në trafik, ndërsa shoferët që nuk i përmbushin kushtet e parashikuara do të përballen me një gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denarësh.
Ky detyrim do të jetë në fuqi deri më 15 mars të vitit të ardhshëm, pavarësisht nëse në rrugë ka borë apo ngrica. Çfarë duhet të kenë automjetet?
Automjetet me peshë deri në 3,500 kilogramë duhet të jenë të pajisura me goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, ose me goma verore që kanë profil minimal prej 4 milimetrash dhe zinxhirë bore për rrotat lëvizëse.
Ndërsa automjetet me katër rrota aktive (4×4) duhet të kenë goma dimërore me profil minimal prej 6 milimetrash, ose goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash dhe zinxhirë bore për së paku boshtin e pasmë.
Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që t’i përgatisin automjetet me kohë dhe të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.