Përfaqësuesi i Platformës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka theksuar se protestat 22-ditore kundër Gjykatës Speciale kanë ndikuar që diskutimi për këtë çështje të kalojë nga dilema nëse duhet të ketë ligj, te mënyra se si ai duhet të përmirësohet.
Në emisionin Debat Plus, Haziri ka vlerësuar se pas protestave, tashmë ka një pajtueshmëri mes përfaqësuesve politikë për nevojën e një ligji që lidhet me UÇK-në.
Ai ka përmendur dakordimin midis kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së partisë më të madhe opozitare, Vlora Çitaku, për të proceduar me një iniciativë të re ligjore gjatë javës së ardhshme. “Mendoj që për herë të parë qytetarët dhe protestuesit, të cilët bashkë kemi protestuar për 22 ditë, kemi arritur që sot të flasim për një ligj dhe për përmirësimin e tij.
Dhe siç ishte në fillim, se a duhet të ketë ligj apo të mos ketë.
Atë temë e kemi mbyll.
Sot duhet të ketë ligj.
Sot jemi dëshmitarë, ku del kryeministri, ku del kryetarja e partisë më të madhe opozitare, ku thonë dhe zotohen se janë dakorduar që javën e ardhshme ta kemi ligjin për UÇK-në”, ka deklaruar Haziri.