Përveç tokës së shtetit, traseja e segmentit të dytë të autostradës Shkup-Bllacë do të shtrihet nëpër 304 prona të ndryshme private.
Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” njofton se deri tani kanë mbetur vetëm 45 parcela pa u shpronësuar.
Byroja për ekspertizë ligjore po merret me çështjet pronësore, disa prej të cilave kanë përfunduar nëpër instancat gjyqësore.
Sipas autoriteteve, procedura e shpronësimit po zbatohet në tri kategori: tokë bujqësore e kategorisë së 3 dhe të 4 me çmim prej 960 den/m2; tokë bujqësore e kategorisë së 1 dhe të 2 me çmim prej 1,200 den/m2; dhe toka ndërtimore pa leje ndërtimi me çmim prej 3,000 den/m2.
Zëvendësministrja e transportit, Kaltrina Zekolli, thekson se procedura e shpronësimit po ecën mbarë dhe pret që ky segment të përfundojë plotësisht deri në verën e vitit 2030. “Për projektin Shkup-Bllacë, siç e dini, në muajin gusht, më saktë më 26.08, dhamë leje për ndërtim si Ministri e Transportit, ndërsa pjesa tjetër e ka Ndërmarrja Publike ‘Rrugët Shtetërore’, të cilët janë investitorë.
Kanë filluar punimet në terren!
Ka pasur një hapësirë 60 ditore për realizuesin e punimeve, por edhe për mbikëqyrësin, për të siguruar lejen për fillimin e ndërtimit dhe për të akomoduar punëtorët dhe pajisjet në terrenin ku do të punohet,” tha Zekolli.
Me projektin janë paraparë 5 tunele në të dyja anët, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri, 9 mure mbajtëse anësore dhe rreth 40 objekte të tjera, siç i quajnë ndërtuesit.
Afati për ndërtimin e kësaj rruge është 4 vjet.
Për investimin e segmentit të dytë Shkup-Bllacë është marrë kredi prej 167,6 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa granti nga korniza e BE-së për Ballkanin Perëndimor është 30,82 milionë euro; pjesa e mbetur prej 23,58 milionë eurove financohet nga buxheti i N.P. “Rrugët Shtetërore”. “Jam shumë optimiste dhe besoj që do të realizohet, siç e kemi theksuar se do të kryhen edhe më shpejtë.
Mendoj që kur ka një vullnet politik, një seriozitet dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij projekti.
Por, nga ana tjetër, e kemi të siguruar edhe buxhetin total, kemi koordinim të mirë me realizuesin dhe mbikëqyrësin që u caktua.
Si Ministri e Transportit, kemi gjithashtu mbikëqyrje të vazhdueshme tek Ndërmarrja Publike ‘Rrugët Shtetërore’, dhe nuk shoh ndonjë element që do ta pengonte ecurinë e punimeve,” deklaroi Zekolli.
Vetëm projektimi ka kushtuar 3.1 milionë euro, para të siguruara nga grantet, për projektuesit SH.A. “Omega” dhe “Hill International”.
Autostrada do të ketë nga dy korsi vozitjeje në të dyja drejtimet, secila me gjerësi 3.5 m, dhe nga një korsi emergjente me nga 2.5 m, duke arritur një gjerësi totale prej 27.5 m.
Kompania që do të ndërtojë segmentin e autostradës prej 10.5 km është “Granit”, e cila ka firmosur kontratën me shtetin.
Punimet kanë nisur dhe do të kushtojnë 222 milionë euro, përfshirë pesë vjet mirëmbajtje pas inaugurimit të rrugës, e cila pritet të bëhet në verën e vitit 2030.
Duhet theksuar se segmenti i parë prej 2 km i autostradës Shkup-Bllacë ka hasur vonesa gjatë ndërtimit dhe ka mbetur si një rrugë pa krye për disa vite.