Të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Parlamentin e Shqipërisë për forumit “Foli Shqip”, një aktivitet që theksoi rëndësinë e identitetit kombëtar, dashurisë për atdheun dhe bashkëpunimit mes brezave të rinj shqiptarë.
Takimi u finalizua me miratimin e një rezolute të përbashkët, ku pjesëmarrësit shprehën angazhimin e tyre për forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimin mes të rinjve nga trevat shqiptare.
Ambientet e Parlamentit të Shqipërisë u shndërruan në një hapësirë diskutimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët ndanë ide dhe vizione për të ardhmen e përbashkët, në një seancë ndryshe nga ato të zakonshmet.
Forumi “Foli Shqip”, nismë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, u organizua me mbështetje nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës dhe tri universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ky aktivitet kishte si qëllim të forcojë dialogun ndërmjet të rinjve dhe institucioneve, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe nismave që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe perspektivën e brezit të ri.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua rolit të rinisë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë, si dhe nevojës për angazhim më të madh institucional në mbështetje të iniciativave rinore.
Pika kulmore e forumit ishte miratimi i një Rezolute të përbashkët, ku të rinjtë shprehën vullnetin që përkatësia kombëtare të mos mbetet vetëm në nivelin e deklarimeve simbolike, por të shndërrohet në angazhim konkret dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Forumi u vlerësua si dëshmi e rëndësisë së dialogut ndërmjet institucioneve dhe brezit të ri, si dhe e potencialit që kanë të rinjtë për të kontribuar në forcimin e lidhjeve kulturore, arsimore dhe kombëtare.
Mesazhi kryesor i takimit ishte se bashkëpunimi ndërmjet të rinjve shqiptarë duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, i mbështetur nga institucionet dhe i orientuar drejt projekteve konkrete që i shërbejnë zhvillimit dhe së ardhmes së përbashkët.
Takimi ishte nën kryesimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bledi Gonxhja, ndërsa i pranishëm ishte ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.