Gjykata Supreme e Kosovës Shfuqizon Rregulloren e KQZ-së për Riorganizimin e Pozitave të Punës

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar plotësisht kërkesën e pesë paditësve, V.E., B.A., A.B.-B., V.K. dhe N.H., të cilët e kishin kontestuar ligjshmërinë e Rregullores së Brendshme Nr. 01/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Brendshme Nr. 07/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas një njoftimi për media, Gjykata Supreme ka konstatuar paligjshmërinë dhe ka shfuqizuar në tërësi Rregulloren e Brendshme Nr. 01/2026, duke përfshirë edhe Shtojcën I – Organogramin e Sekretariatit të KQZ-së. “Në shqyrtimin e çështjes, Gjykata ka vlerësuar ligjshmërinë e procesit të ri-klasifikimit të pozitave të punës, veçanërisht në raport me respektimin e kritereve objektive, parimin e barazisë dhe detyrimin për arsyetimin e vendimeve që kanë pasoja juridike për zyrtarët publikë”.

Gjykata sqaron se, megjithëse KQZ-ja ka kompetencë për të ndryshuar organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, kjo duhet të mbështetet në analiza funksionale, kritere objektive dhe arsyetime të qarta, të cilat justifikojnë përfshirjen apo përjashtimin e pozitave të caktuara nga procesi i ri-klasifikimit. “Gjykata ka konstatuar se KQZ-ja nuk ka paraqitur një analizë funksionale që do të arsyetonte përfshirjen e vetëm tetë pozitave të punës në procesin e ri-klasifikimit dhe përjashtimin e pozitave të paditësve.

Po ashtu, nuk janë ofruar arsye konkrete për dallimet në natyrën e detyrave, nivelin e përgjegjësive dhe kompetencat e pozitave të përfshira dhe atyre të përjashtuara nga ky proces”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, zbatimi i rregullores së kontestuar ka rezultuar në ndryshimin e koeficienteve të pagave për zyrtarët që ushtrojnë tetë pozitat e përfshira në procesin e ri-klasifikimit, ndërsa pozitat e paditësve kanë mbetur jashtë tij.

Kjo ka shkaktuar trajtim të ndryshëm, pa u dëshmuar ekzistenca e arsyeve objektive dhe të arsyeshme që do ta justifikonin një dallim të tillë.

Gjykata thekson se parimi i barazisë kërkon që ata që janë në situata të ngjashme të trajtohen në mënyrë të barabartë, përveç rasteve kur trajtimi i ndryshëm është i bazuar në kritere të qarta, objektive dhe të verifikueshme.

Procesi i klasifikimit duhet të bazohet në natyrën dhe përgjegjësitë e funksioneve dhe jo në përzgjedhjen e pozitat pa një arsyetim të qartë për dallimet ndërmjet tyre.

Mungesa e analizave funksionale dhe kritereve të qarta të përzgjedhjes nuk garanton trajtim të barabartë për zyrtarët që ushtrojnë funksione të njëjta ose të krahasueshme.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata i është referuar edhe Aktgjykimit P.A.nr. 24/2026, të datës 17 shtator 2026, me të cilin kishte shfuqizuar nenin 7 të Rregullores Nr. 01/2026.

Duke marrë parasysh ndërlidhjen e pandashme të dispozitave të kësaj rregulloreje me nenin e shfuqizuar, Gjykata ka vlerësuar se pjesa e mbetur e aktit nuk ka përmbajtje normative dhe efekt juridik të pavarur që do të mundësonte zbatimin e saj si akt i veçantë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *