Dy muaj pas dënimit me 25 vjet burgim për krime lufte, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me mundësinë e një dënimi tjetër nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Më 17 nëntor, gjykata do të shpallë aktgjykimin në një proces të veçantë, ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, duke përfshirë përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë.
Nëse shpallet fajtor, dënimi i tij mund të rritet, ndërsa nëse lirohet nga akuzat, dënimi i mëparshëm nuk do të ndryshohet automatikisht.
Sipas Mathias Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, dënimet për pengim të drejtësisë zakonisht shtohen atyre për krime ndërkombëtare.
Procesi lidhet me dyshimet për përpjekjet e Thaçit për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë gjatë gjykimit për krime lufte, ku ai dhe tre ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të akuzuar.
Sipas aktakuzës, nga prilli deri në nëntor 2023, Thaçi dyshohet se ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarë, duke përfshirë Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazli, gjatë vizitave të tyre në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria pretendon se ai, në bashkëpunim me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u përpoq të ndikonte në dëshmitë e këtyre personave, duke shkelur një urdhër gjyqësor.
Thaçi përballet me 11 pika të aktakuzës, përfshirë tri për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin dhe tre vjet për bashkëpunëtorët e tij.
Gjykimi filloi më 27 shkurt dhe u mbyll më 14 shtator, ndërsa aktgjykimin do ta shpallë gjyqtari Christopher Gosnell.
Në rast se Thaçi dënohet me gjashtë vjet burgim, Prokuroria ka kërkuar që ky dënim t’i shtohet atij prej 25 vjetësh për krime lufte.
Holvoet thotë se kjo praktikë është e zakonshme në gjykatat penale ndërkombëtare, duke sugjeruar se Thaçi mund të përballet me deri në 31 vjet burgim.
Megjithatë, një vendim pafajësie për Thaçin nuk do të anulonte dënimin e tij të mëparshëm.
Holvoet thekson se, nëse lirohet nga akuzat, Thaçi do të qëndrojë në paraburgim derisa të përfundojë procesi i apelit për krime lufte, pasi këto janë dy procese të ndara.
Në rast se dënimi për krime lufte do të zvogëlohej në apel, kjo nuk do të ndikonte automatikisht në një dënim eventual për pengim të drejtësisë.
Më 16 shtator, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, së bashku me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Të katërit u shpallën fajtorë për krime lufte, por u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provonte një sulm të gjerë ose sistematik ndaj popullatës civile.
Aktgjykimi i shtatorit ende nuk është përfundimtar dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë deri më 27 nëntor.