Intervista e Albulena Muja Bajraktarit mbi rastin e Arlinda Zekajt: Detaje nga Komisioni Hetimor

Komisioni Hetimor Parlamentar ka zhvilluar një intervistë me Albulena Muja Bajraktarin, drejtoreshën e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gjatë raportimit para Komisionit, ajo diskutoi mbi mbikëqyrjen e punës së Qendrës për Punë Sociale, kapacitetet e saj njerëzore dhe një takim që kishte pasur me të ndjerën pas paraqitjes së rastit në polici.

E pyetur nëse kërkon raporte periodike nga Qendra për Punë Sociale, Muja Bajraktari theksoi se kjo është një praktikë që e ndjek vazhdimisht. “Edhe në Kuvend, çdo gjashtë muaj, jemi transparentë edhe me qytetarët.

Edhe nga Qendra për Punë Sociale marr informata e raporte, aq sa më takojnë”, deklaroi ajo.

Anëtari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti nëse, përveç pranimit të raporteve, drejtoresha ushtron mbikëqyrje më të thelluar, duke kërkuar informacione shtesë në rastet kur vërehen mangësi në ofrimin e shërbimeve, siç është mungesa e psikologut.

Muja Bajraktari u shpreh se raportet që merr janë kryesisht narrative dhe statistike, ndërsa për rastet më delikate kërkon informacione shtesë. “Raportet i pranoj në kuptimin narrativ dhe statistikor, sa raste të dhunës janë.

Në rast se njëri prej rasteve është më delikat dhe kërkon mbështetje nga drejtoria, atëherë normalisht kërkoj një feedback, një informatë shtesë, në mënyrë që të shoh se çka mund të intervenojmë ne si drejtori në raport me ofrimin sa më cilësor të shërbimit”, tha ajo.

Duke folur për numrin e punonjësve dhe ngarkesën me raste në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, drejtoresha bëri të ditur se në dy shërbimet që ofron kjo qendër janë të angazhuar gjithsej shtatë zyrtarë.

Ajo theksoi se numri i punonjësve në shërbimin profesional është zvogëluar për dy pozita, pasi njëra nga punëtoret, psikologe me profesion, ka kaluar në pushim të lehonisë, ndërsa një tjetër është transferuar në një dikaster tjetër. “Te pjesa e shërbimit profesional ka filluar rritja e vëllimit të rasteve dhe normalisht edhe ai presioni që zyrtari të mos mundë ta kompletojë punën në nivelin ose standardin që i kërkohet”, tha ajo.

Muja Bajraktari theksoi se kapacitetet aktuale njerëzore nuk janë të mjaftueshme, duke e lidhur këtë me mungesën e grantit specifik për shërbimet sociale në nivel komunal.

Ajo shprehu se nëse komunat do të kishin grant të veçantë për këtë fushë, do të mund të investonin më shumë në kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore.

Gjatë seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e pyeti drejtoren nëse kishte pasur një takim me të ndjerën Arlinda Zekaj.

Muja Bajraktari e konfirmoi takimin, ndërsa mohoi pretendimet se e kishte detyruar ta tërhiqte ankesën. “Jo, nuk është e vërtetë”, u përgjigj ajo, duke shpjeguar se takimi ishte zhvilluar menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici.

Rasti ishte raportuar më 10 korrik, në orët e pasdites, ndërsa Arlinda kishte kërkuar takim me të të hënën në mëngjes.

E pyetur nëse Arlinda Zekaj kishte shprehur shqetësime gjatë takimit, Muja Bajraktari tha se e ndjera kishte shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit në polici dhe vlerësimin profesional. “Arlinda ka shprehur shqetësime për trajtimin e rastit në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale.

Ka kërkuar që rasti të trajtohet me prezencë në vazhdim, të trajtohet me prezencë të Ambasadës Amerikane dhe ka shprehur shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit”, tha ajo.

Pas kuptimit të arsyes së takimit, Muja Bajraktari kishte ftuar udhëheqësin e Shërbimit Social për ta udhëzuar Arlindën për të drejtat dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.

Drejtoresha sqaroi se takimi ishte zhvilluar në zyrën e saj dhe kishte qenë verbal, duke theksuar se nuk posedon procesverbal për këtë takim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *