Kontrollet e Intensifikuara të Policisë për Sigurinë Rrugore në Maqedoninë e Veriut

Policia e trafikut e Maqedonisë së Veriut, pjesë e Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut (ROADPOL), do të realizojë kontrolle të intensifikuara rrugore nga 16 deri më 22 nëntor 2026, në kuadër të aksionit ndërkombëtar “Truck & Bus”.

Ky aksion ka si qëllim rritjen e sigurisë për autobusët dhe automjetet transportuese në qarkullimin rrugor.

Sipas njoftimeve nga MPB, objektivi kryesor i aksionit është parandalimi i aksidenteve rrugore, identifikimi dhe sanksionimi në kohë i kundërvajtjeve, si dhe ngritja e nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. “Gjatë kontrolleve, vëmendje e veçantë i kushtohet gjendjes teknike dhe pajisjeve të sigurisë së autobusëve dhe automjeteve transportuese, përmbushjes së kushteve ligjore për transportin e organizuar të fëmijëve, si dhe respektimit të rregullave gjatë organizimit të udhëtimeve shkollore, edukative dhe rekreative.

Gjithashtu, kontrollohen gjendja psikofizike dhe aftësia e shoferëve për drejtimin e sigurt të automjeteve, si dhe përmbushja e detyrimeve të tjera ligjore në transportin rrugor”. “Paralelisht me këto aktivitete, zyrtarët policorë realizojnë kontrolle të intensifikuara edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, me theks të veçantë në mosrespektimin e kufizimeve të shpejtësisë, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikotrope, mospërdorimin e rripit të sigurisë, transportin e parregullt të udhëtarëve dhe kundërvajtjet e tjera që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë në rrugë”. “Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel shoferëve, transportuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë denjësisht rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të tregojnë një nivel të lartë përgjegjësie gjatë pjesëmarrjes në trafik”, thonë nga MPB.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *