Kryeministri Albin Kurti viziton STATION F në Paris: Qendra më e madhe për startup-e në botë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një vizitë në kampusin e njohur të teknologjisë dhe inovacionit STATION F në Paris, Francë.

Gjatë kësaj vizite, ai ka pasur mundësinë të njohë nga afër kompani dhe iniciativa të ndryshme në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.

Kurti njoftoi se STATION F është një ndër qendrat më të mëdha në botë për startup-e, e cila ndodhet në një ndërtesë historike që dikur shërbente si depo kryesore mallrash dhe stacion trenash në kryeqytetin francez. “Një ndërtesë njëshekullore, që ishte ngritur dhe kishte shërbyer si depo kryesore mallrash e stacion trenash në Paris deri në vitin 2000 kur ishte mbyllur, tash e mëse një dekadë është qendër e teknologjisë dhe inovacionit.

Me rreth 34 mijë metra katrorë hapësirë, dhe brenda saj, me më shumë se 700 investitorë, me qasje për më shumë se 9,000 startup-e dhe më shumë se 30 programe, STATION F është aktualisht kampusi dhe inkubatori më i madh në botë për startup-e,” ka shkruar Kurti.

Po ashtu, ai theksoi se në këtë qendër kishin mundësi të takoheshin me përfaqësues të kompanive që veprojnë në fushat e administratës publike, shkencës së sjelljes dhe inteligjencës artificiale.

Këto kompani zhvillojnë platforma të integruara që ndihmojnë në mbështetje të vendimmarrjes dhe hartimin e politikave publike.

Për më tepër, ata patën mundësi të njihen me kompani të teknologjisë së mbrojtjes (Defence Tech), të specializuara në zhvillimin e sistemeve autonome nënujore dhe dronëve detarë për mbrojtjen e flotave ushtarake, porteve dhe infrastrukturës kritike ujore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *