Kuvendi i Kosovës dështoi të arrijë kuorumin për Ligjin për Gjykatën Speciale

Në dy seancat e parashikuara, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) theksojnë se është e rëndësishme që ky ligj është përfshirë në rendin e ditës dhe se po e trajtojnë me seriozitet reagimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Gjatë seancës të enjten, Ligji për Gjykatën Speciale u vendos si pika e fundit e rendit të ditës.

Megjithatë, pas një pauze, deputetët u vonuan të jenë të pranishëm në sallë, duke bërë që kryekuvendarja ta shtyjë seancën për të premten, ku përfshihej gjithashtu Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Pavarësisht diskutimeve që zgjatën rreth 12 orë mbi çështje të tjera, nuk u arrit kuorumi për votim.

Pas kësaj, PDK-ja u shpreh se nuk ka arsye të besojë se shtyrja ka qenë e qëllimshme. “Ishte një seancë e ngarkuar me debate të gjata për dy tema të rëndësishme: shëndetësinë dhe energjinë.

E rëndësishme është që ligji është përfshirë në rendin e ditës dhe presim që të procedohet në vazhdim,” tha PDK.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Evropian janë marrë seriozisht. “Kemi mirëpritur gatishmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për konsultime.

PDK i merr seriozisht shqetësimet e shprehura nga BE lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Partneriteti me BE-në dhe respektimi i obligimeve ndërkombëtare janë pjesë e orientimit tonë të palekundur shtetëror.

Presim që diskutimi për ligjin të zhvillohet mbi dispozita konkrete dhe argumente juridike,” tha Çitaku.

Avokati Ardian Bajraktari theksoi se para votimit duhen bërë disa ndryshime. “Vlerësoj që nevoja për ndërhyrje është evidente, në mënyrë që ligji të jetë në harmoni me amandamentin përkatës kushtetues.

Subjektet politike duhet të angazhohen në një proces të mirëfilltë konsultimi me ekspertët ndërkombëtarë dhe me ekspertët e fushës,” tha Bajraktari.

Dukagjini përpiqet të marrë një qëndrim edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por deri tani nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *