Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Bruksel, ku ka pasur takime me bashkatdhetarë dhe bashkëveprimtarë të partisë.
Në një postim në Facebook, ai falënderoi të pranishmit për pritjen dhe bisedat e ngrohta, duke theksuar se u ndje si në shtëpi mes tyre.
Abdixhiku vlerësoi kontributin e mërgatës në historinë e Kosovës, duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit është shkruar nga shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë larg atdheut. “Një pjesë e historisë së Kosovës është shkruar në mërgatë, nga njerëz që ndërtuan jetën larg Kosovës dhe morën përsipër më shumë sesa u takonte për fatin e atdheut tonë.
Edhe sot, mundi i tyre është vlerë e vendit tonë,” ka shkruar ai.
Gjatë vizitës në Bruksel, kreu i LDK-së mori pjesë edhe në Darkën e Lamës, të organizuar nga dega e kësaj partie në Beneluks.
Abdixhiku e vlerësoi këtë traditë shqiptare, duke thënë se përmes saj bashkatdhetarët vazhdojnë ta ruajnë dhe ta përcjellin kulturën e tyre edhe përtej kufijve të Kosovës. “Të shtrosh sofrën për tjetrin është ndër zakonet më të bukura të popullit tonë.
Sonte, në zemër të Evropës, bashkatdhetarët tanë e shtruan sofrën e Darkës së Lamës.
Kështu e çojnë kulturën tonë përtej kufijve të Kosovës dhe e bëjnë pjesë të jetës së qyteteve ku jetojnë,” ka theksuar ai.