Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka dhënë një përgjigje të qartë ndaj raportimeve që sugjerojnë se Qeveria ka hequr statusin e dëshmorit nga disa figura të njohura si Ahmet Krasniqi, Fehmi Agani, Enver Maloku, Bajram Kelmendi dhe të tjerë.
Ai i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe manipuluese.
Në një postim në Facebook, Hoti theksoi se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë ndonjë vendim për heqjen e statusit të dëshmorit për personat e përmendur. “Raportimet se Qeveria u ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera janë të pavërteta dhe manipuluese!”, ka shkruar ai.
Sipas ministrit, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe tani nuk ekziston më si mekanizëm funksional. “Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi.
Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!”, theksoi Hoti.
Ministri kritikoi gjithashtu mënyrën e raportimit të këtyre pretendimeve, duke akuzuar mediat për manipulim të opinionit publik. “Skandaloze është përpjekja që, përmes ‘titujve bombastikë’ dhe teksteve tendencioze, të krijohet bindja se institucionet kanë marrë vendime që nuk ekzistojnë”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se mediat që kanë publikuar këto pretendime nuk kanë kërkuar sqarime nga Ministria para publikimit. “Verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik”, përfundoi Hoti.