Nesër, qarkullimi i trenave në Kosovë pritet të ndërpritet për shkak të grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.
Ndërmarrja Trainkos njofton se, sipas njoftimeve për grevë, të hënën më 9 nëntor, mund të ndodhin ndryshime në qarkullimin e trenave.
Treni nr. 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do të ndalojë qarkullimin në Fushë-Kosovë, pasi Infrakos, menaxheri i infrastrukturës hekurudhore, pritet të ndalojë ofrimin e shërbimeve të tyre në orën 08:00.
Pas këtij treni, për shkak të ndërprerjes së shërbimeve infrastrukturore, të gjithë trenat e tjerë do të pushojnë së qarkulluari deri në normalizimin e situatës, sipas njoftimit.
Trainkos kërkon mirëkuptimin e pasagjerëve për këtë situatë dhe rikonfirmon përkushtimin për rikthimin e shërbimeve të transportit hekurudhor sa më shpejt, kur të krijohen kushtet e nevojshme. “Për çdo ndryshim tjetër do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.