Prokuroria Kërkon Paraburgim për Sulm ndaj Personit Zyrtar në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet E.J., i dyshuar për sulm ndaj një personi zyrtar.

Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 00:35, në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj.

I dyshuari kishte dërguar babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore.

Gjatë trajtimit nga personeli shëndetësor, ai dyshohet se kishte ndërhyrë dhe kishte ushtruar presion ndaj stafit mjekësor. “Për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës për zhvillimin e papenguar të trajtimit mjekësor, i është kërkuar që të largohet nga dhoma, mirëpo i pandehuri ka refuzuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas refuzimit për t’u larguar, i dyshuari e kishte goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës mjekun kujdestar, me inicialet F.F. “Me të cilën ka kryer veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ nga neni 402, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga 1 nëntori.

Ndaj tij tashmë është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa për rastin pritet të vendosë Gjykata Themelore në Ferizaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *