Prokuroria në Pejë: Veprime ndaj zyrtarëve pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekaj

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se më 22 tetor ka marrë një parashtresë nga Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht, vetëm tri ditë pas adresimit të shqetësimeve të saj te institucionet përkatëse.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, përmes kësaj parashtrese, Zekaj kishte kërkuar që të merren menjëherë masa ndaj zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar për dështime në përmbushjen e detyrave të tyre gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. “Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka sqaruar se pretendimet do të vlerësohen në kontekstin e përgjegjësisë penale, në lidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithashtu, parashtresa është dërguar për trajtim urgjent institucioneve përkatëse, duke përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale.

Këtyre institucioneve u është kërkuar që të shqyrtojnë pretendimet dhe të verifikojnë lëshimet eventuale apo veprimet e zyrtarëve, brenda kompetencave të tyre.

Rreth vendimit gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ekzekutimi i tij ishte mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. “Rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura në parashtresën e viktimës dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse”, thuhet më tej në njoftim.

Në përfundim, Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *