Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka shkaktuar një valë reagimesh nga përfaqësues politike dhe aktivistë, të cilët kërkojnë një hetim urgjent dhe përgjegjësi institucionale për rrethanat që i paraprinë vdekjes së saj.
U.d e kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, asamblistja e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Deçan, Natyra Kuçi, ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, dhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kanë reaguar publikisht pas këtij rasti tragjik. Çitaku ka theksuar se Arlinda është gruaja e tetë e vrarë këtë vit, duke kërkuar përgjegjësi për situatën. “Tetë gra.
Tetë jetë të humbura.
Familje të shkatërruara.
Dhe pyetja që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi?
Konferencat, seminaret, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm një copë letër, nëse nuk shoqërohen me veprime konkrete, me mbrojtje reale për gratë në rrezik dhe me përgjegjësi për ata që dështojnë t’i mbrojnë.
Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje.
Nga ata që kishin detyrë ta mbronin Arlindën.
Nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen,” ka shkruar ajo.
Lushaku-Sadriu kritikoi trajtimin e rastit nga institucionet, duke theksuar se Arlinda kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik dhe kishte kërkuar mbrojtje. “Për gratë, shteti vdiq sonte!”, ka shkruar ajo, duke ngritur pyetje se kush e dëgjoi Arlindën, kush duhej ta mbronte dhe pse ajo u kthye në shtëpi pas raportimit të dhunës.
Ajo ka kërkuar hetim urgjent dhe përgjigje të qarta për çdo dështim institucional.
Natyra Kuçi ka reaguar me një mesazh emocional, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e grave.
Ajo ka përmendur vështirësitë që Arlinda kishte përjetuar lidhur me të drejtën për të takuar djalin e saj, si dhe pretendimet për kërcënime dhe sulme. “Arlinda, u vra sot nga një gjykatë patriarkale, nga një polici dhe mirëqenie sociale e dështuar.
E vrau një zinxhir i tërë shtetëror i dështuar,” ka shkruar Kuçi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e saj.
Hykmete Bajrami publikoi një pjesë të një letre që Arlinda ia kishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë vetëm tri ditë para vrasjes, ku ajo shprehte shqetësimin për dhunën ndaj grave dhe kërkonte llogaridhënie nga të gjithë përgjegjësit. “Prej të parit deri te i fundit duhet me dhënë përgjegjësi,” ka shkruar Bajrami.
Ish-ministrja Meliza Haradinaj ngriti shqetësimin për vazhdimësinë e rasteve të dhunës ndaj grave në Kosovë, duke theksuar se femicidi është i pranishëm dhe se ndëshkimi i autorit të dyshuar nuk është përgjigjja e vetme. “Duhet të ketë përgjegjësi edhe për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave,” ka thënë Haradinaj.
Burim Ramadani theksoi se Arlinda kërkoi ndihmë nga shteti, por sot ajo nuk është më mes nesh. “Kur shteti nuk e mbron një grua që kërkon ndihmë, kush mban përgjegjësi për jetën e saj?
Heshtja dhe neglizhenca institucionale kushtojnë jetë,” ka shkruar ai.
Reagimet erdhën pas njoftimit të Policisë së Kosovës se Arlinda Zekaj ishte raportuar si viktimë e dhunës në familje dhe ishte intervistuar në stacionin policor në Pejë.
Ajo ishte kthyer në shtëpinë e saj me vullnetin e vet, ndërsa rreth orës 21:10, autoritetet u njoftuan se ishte gjetur pa shenja jete.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se vdekja e saj është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë.
Personi i dyshuar për vrasjen, i cili dyshohet të jetë kunati i saj, ndodhet në arrati.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.