Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të veçanta që lidhen me posedimin e paautorizuar të armëve, në Malishevë dhe Gjakovë.
Rasti i parë është regjistruar më 21 tetor, rreth orës 08:30, në fshatin Mleqan të Malishevës.
Sipas raportit policor, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, mashkull kosovar, janë gjetur dhe konfiskuar një armë dhe shtatë fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori, ndërsa nuk raportohet për persona të arrestuar.
Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar në fshatin Skivjan të Gjakovës, ku më 21 tetor është arrestuar një person, pasi njësiti i hetimeve kishte pranuar një fotografi në të cilën i dyshuari shfaqej me një armë zjarri që dyshohej të ishte e tipit AK-47.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka mohuar se posedon armën në fjalë.
Policia ka bastisur shtëpinë e tij, por nuk ka gjetur sende të dyshimta.
Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.