Rasti i Alta Bankës: Pyetje për Menaxhimin e Mjeteve Publike dhe Sigurinë Financiare

Rasti i “Alta Bankës” hap një sërë pyetjesh që shkojnë përtej problemeve të zakonshme bankare.

Ky rast lidhet ngushtë me menaxhimin e mjeteve publike dhe sigurinë financiare të institucioneve publike, duke ngritur gjithashtu dilema mbi lidhjen e mundshme mes vendimeve politike dhe interesave bankare, sipas reagimit të sotëm të BDI-së. “Fakti që Banka Popullore u detyrua të vendosë administrim të përkohshëm dhe kufizime në disponimin e mjeteve, ndërkohë që institucionet dhe ndërmarrjet publike përballen me pasiguri lidhur me funksionimin e tyre financiar, kërkon një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar institucional.” Një nga shqetësimet kryesore është se sa mjete publike janë të depozituara në Alta Banka dhe në cilat kritere nuk kanë vendosur institucionet dhe ndërmarrjet publike për të shfrytëzuar shërbimet e saj.

Kush ka marrë këto vendime?

Kush i ka miratuar ato dhe kush e ka vlerësuar rrezikun financiar ndaj të cilit janë ekspozuar mjetet publike?

A ka qenë përzgjedhja e bankës rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente, apo ka pasur ndikim politik në vendimmarrjen e institucioneve?

A janë analizuar rreziqet që lidhen me strukturën e pronësisë së bankës?

A ka pasur paralajmërime dhe, nëse po, kush i ka pranuar ato dhe si ka vepruar?

Këto pyetje bëhen edhe më serioze pas informacioneve mbi procedurat ndaj pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimeve për keqpërdorime financiare që janë objekt hetimi atje.

Prandaj, BDI kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të publikojnë një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontrollin shtetëror që kanë pasur mjete në Alta Banka, duke përfshirë shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve.

Njëkohësisht, Banka Popullore duhet të japë shpjegime për procedurat e mbikëqyrjes dhe vlerësimet e rrezikut, veçanërisht në lidhje me ndryshimet në strukturën e pronësisë dhe zhvillimet financiare në bankën amë”, shprehen nga BDI.

Nga ana tjetër, ata presin që Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të saj, të hetojë nëse gjatë orientimit të mjeteve publike ka pasur ndikime të paligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi apo veprime të tjera të kundërligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *