Reagimi i Listës së Studentëve në Serbi ndaj Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore në Kosovë

Deklaratat e Listës së Studentëve në Serbi për Kosovën vazhdojnë të ndjekin linjën e diskursit politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, veçanërisht në lidhje me trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

Në reagimin e saj të fundit, kjo listë ka kundërshtuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Ata pretendojnë se kompetencat e reja të inspektoratit mund të rrezikojnë mbrojtjen e manastireve, kishave ortodokse serbe dhe pronave të Kishës Ortodokse Serbe.

Në deklaratën e saj, Lista e Studentëve e paraqet procesin legjislativ si një çështje që mund të cenojë garancitë ekzistuese për trashëgiminë serbe, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet në Prishtinë që të ndërhyjnë për të siguruar respektimin e mekanizmave të veçantë të mbrojtjes.

Edhe pse Lista Studentore në Serbi është shfaqur si alternativë politike ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, qëndrimet e saj për Kosovën tregojnë se kundërshtimi i presidentit serb nuk nënkupton domosdoshmërisht shkëputje nga politika e tij nacionaliste ndaj Kosovës.

Në reagimin e saj ndaj Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, kjo lëvizje ka përdorur argumente që përputhen me diskursin e kahershëm të Beogradit zyrtar: paraqitjen e vendimeve institucionale të Kosovës si kërcënim ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimisë fetare serbe.

Kjo deklaratë erdhi vetëm disa ditë pas publikimit të programit të saj politik për Kosovën, ku kundërshton pavarësinë e vendit dhe anëtarësimin e tij në organizatat ndërkombëtare, duke u zotuar se do të angazhohet për mbajtjen e Kosovës brenda përbërjes së Serbisë.

Pra, përderisa në Serbi kjo lëvizje kërkon ndryshime politike dhe sfidon pushtetin e Vuçiqit, në raport me Kosovën ajo vazhdon të mbajë qëndrime që përkojnë me politikën zyrtare serbe të dekadave të fundit.

Në programin e saj, Lista Studentore thotë se do të kundërshtojë vazhdimisht pavarësinë e Kosovës, do të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe do të kërkojë autonomi sa më të gjerë për komunat me shumicë serbe.

Ajo gjithashtu paralajmëron rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këto qëndrime janë në vazhdën e politikës së Vuçiqit, i cili për vite me radhë e ka përdorur çështjen e Kosovës si temë qendrore të diskursit politik në Serbi, duke kundërshtuar shtetësinë e saj dhe duke e paraqitur çdo zhvillim që e forcon funksionimin e institucioneve të Kosovës si cenim të interesave serbe.

Në deklaratën e fundit, Lista Studentore ka shprehur shqetësim për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kuvendin e Kosovës.

Ajo pretendon se kompetencat e reja inspektuese mund të dobësojnë regjimin e veçantë të mbrojtjes për manastiret dhe kishat ortodokse serbe, si dhe të anashkalojnë procedurat e përcaktuara me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Lëvizja pretendon gjithashtu se projektligji është përgatitur pa konsultime me Kishën Ortodokse Serbe, prandaj u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që ta monitorojnë procesin.

Në deklaratë, ajo përmend edhe detyrimet e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë, duke kërkuar që dispozitat e projektligjit të jenë në përputhje me garancitë ekzistuese për mbrojtjen e trashëgimisë fetare serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *